Lajme Arkiva 2003

Në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme, zyrtarë shqiptarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po konsultohen edhe me komisionarë amerikanë të cilët ndodhen prej disa ditësh për një vizitë në Shqipëri.

John Lindbeck drejtor i seksionit të zgjedhjeve pranë sekretarit të shtetit të Oregonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një intervistë të posaçme për Tv Klan thotë se pavarësisht balancimit të institucionit të zgjedhjeve procesi elektoral varet nga pushteti gjyqësor.

“Pavarësisht se si do të zgjidhet çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëse komisioni do të ndërtohet i balancuar plotësisht mes mazhorancës dhe opozitës, apo të mos balancohet ju sërish do të keni kontestime të zgjedhjeve”.

Kjo do të ndodhë deri sa të keni një sistem gjyqësor të besueshëm, i cili do të vendosë përfundimisht për rezultate të pranuara nga palët.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë zoti Lindbeck është takuar edhe me anëtarë të komisionit dypalësh për reformën zgjedhore dhe ka vlerësuar punën e bërë prej tyre me amendamentet e hartuara./tvklan.al