Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ekzistenca e mazhorancës në parlament duhet të provohet me anën e një mocioni besimi nga vetë kryeministri Fatos Nano, për të provuar që qeveria e tij ka mbështetjen e 71 deputetëve, ky është reagimi i nënkryetares të Partisë Demokratike Jozefina Topalli, ku parlamenti tregoi një ditë më parë, se kryeministrin Nano e mbështesnin vetëm 29 deputetë.

Pas krizës së PS, e cila rreth një vit më parë udhëhoqi pa ministra rikthehet përsëri situata kritike për qeverinë, që doli në pah me anën e votimit të projektligjit për disa shtesa për mbrojtjen e mjedisit.

Jozefina Topalli: “Kemi një qeveri të ngrime në frigorifer, çfarë kërkohet? Në një vend normal, ku demokracia është normale, ku funksionohet përmes principeve të kësaj të fundit, kryeministri do të kërkonte një mocion besimi dhe t’i thotë shqiptarëve që i kam 71 vota”.

Nëse kryeministri nuk ka ndërmend të provojë qeverinë e tij, në këto kushte PD ende nuk ka vendosur nëse do të iniciojë mocion mosbesimi, pasi do të konsultohet më parë me grupet e tjera parlamentare të opozitës, për shkak të pasigurisë së votave. Situata politike sjell domosdoshmërinë e krijimit të një qeverie teknike shprehet Topalli, për të kaluar më pas në zgjedhje të parakohshme, por duke bërë edhe ndryshimet në kodin zgjedhor.

Gazetarja: Mendoni se ka vend për një qeveri teknike tani?

Jozefina Topalli: “Absolutisht është e vetmja zgjidhje, emrin mund t’ia vëmë teknike, me bazë të gjerë, o ku di unë, por gjithsesi është e rëndësishme ngritja e një mazhorance brenda parlamentit. Në këto momente ne s’kemi mazhorancë dhe në asnjë vend të botës nuk qëndron qeveri në këmbë përmes minorancës”.

Nëse në këto momente kërkohet një mocion mosbesimi nga opozita në kushtet që gjendet ajo, është e vështirë të sigurojë kuorumin e mjaftueshëm prej 71 votash për të rrezuar qeverinë Nano, pasi edhe pse mund të kenë aprovimin e mbështetësve të Metës mund të bëhen pengesë deputetët e Pollos./tvklan.al