Demokratët e Tiranës kanë dalë sot përsëri në sheshin “Skënderbej” në vazhdimësi të protestave të tyre. Pa prezencën e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, mitingun e ka hapur zëdhënësi i shtypit pranë kësaj partie, Edi Paloka. Ne u shpreh ai do t’i vazhdojmë këto protesta dhe kërkojmë ribërjen e votimit atje ku votat janë mbledhur dhe falsifikuar. Më pas fjalën e ka marrë nënkryetarja e Parlamentit dhe e Partisë Demokratike Jozefina Topalli.
Në emër të të drejtës së votës së lirë u shpreh ajo, unë u kërkoj demokratëve jo vetëm të Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë të mos ndalen nga protestat e tyre. Ne kemi të drejtat tona. Ajo për të cilën prej shumë vitesh ky shesh është kthyer në sheshin e protestave tona, është çeshtje principi. Nënkryetarja e PD-së ka akuzuar qeverinë për zgjedhjet e zhvilluara më 1 tetor.
Në emër të doktor Berishës u shpreh më pas ajo, unë ju falenderoj që jeni këtu çdo ditë e çdo natë. Fjalën e kanë marrë më pas sekretari i burimeve njerëzore të zgjedhjeve Fatos Beja si dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode i cili ka denoncuar dhe ai vjedhjet e votave të demokratëve. Pasi i janë drejtuar shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, demokratët kanë qëndruar fillimisht para Ministrisë së Rendit.
Më pas në ndalesën e tyre para Kryeministrisë ata kanë protestuar të qetë për rreth 30 minuta. Mitingu i radhës i Partisë Demokratike është shoqëruar nga gadishmëria e forcave të rendit./tvklan.al