Kryetarja e partisë demokratike Jozefina Topalli hedh poshtë negociatën e qeverisë shqiptare të firmës italiane “Albaniabeg Ambient” për ngritjen e një impianti për përpunimin e plehrave në vendin tonë. Sipas Topallit, nëse do të merrej një vendim i tillë, do të binte në kundërshtim me ligjin, i cili ndalon importimin e mbetjeve për ruajtje, depozitim ose asgjesim në Republikën e Shqipërisë. Më pas ky fenomen do të vazhdonte dhe me shkeljen e Konventës së Aarhus-it për të drejtën e publikut për të pasur informacion e për të marrë pjesë në vendimmarrje. Kështu Topalli e quan të pamundur reazlimin e një negociate të tillë pa u miratuar më parë në parlament, madje edhe zhvillimi i një referendumi për zonat që do të pësojnë ndotje.

Jozefina Topalli: “Është e pamundur që marrëveshje të tilla të mos kalojnë në parlament. Ajo do ishte një çmenduri tjetër pastaj. Në rastin konkret, në bazë dhe të Konventës së ratifikuar, ato mund të kërkojnë dhe referendum. Qyetetarë të këtyre zonave mund të kërkojnë referendum.”

Kryeministri Fatos Nano ka thërritur ministrat Fino, Ruka dhe Blushi si negociatorë për problemin e trajtimit të mbeturinave urbane me firmën italiane. Pas informimit nga ana e ministrave, kreu i qeverisë ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune të drejtuar nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ekspertë për përcaktimin e termave të referncës që do të negociohen me kompanitë e interesuara. Kryeministri ka theksuar se do të mbështesë çdo nismë që përshpejton këtë proces dhe çdo projekt modern të normativave të Bashkimit Evropian. /tvklan.al