Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Qeveria jugosllave vendosi dje të rilidh marrëdhëniet e saj diplomatike me Shqipërinë, të ndërprera gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, në Prill të vitit 1999, njoftoi agjencia zyrtare Tanjuk, që citon një komunikatë të qeverisë. Vendimi për të rilidhur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, u mor në koordinim me vendosmërinë e vendit tonë për të zgjidhur nëpërmjet dialogut, të gjitha problemet dypalëshe.
Ministri jugosllav i Punëve të Jashtme Goran Zvilanoviç, bëri të ditur më 1 Janar se Jugosllavia, dëshironte të rivendoste marrëdhëniet e saj diplomatike me Shqipërinë me gjithë ndryshimet dhe pikëpamjet e të dy vendeve sidomos për çështje shumë të rëndësishme. Po mbrëmë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare, në një deklaratë të tij, ka komunikuar gadishmërinë e qeverisë shqiptare për të rilidhur marrëdhëniet diplomatike me qeverinë Jugosllave./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego