Juventusi kërkon të afrojë një sulmues në merkaton e Janarit. Drejtuesit bardhezi prej kohësh kanë nisur punën, për të gjetur lojtarët e duhur për repartin e avancuar.
Në listën e italianëve për sulmin janë dy futbollistë. I pari është Joshua Zirkzee, i cili është dëshirë e trajnerit Thiago Motta, pasi e kishte nën urdhrat e tij sezonin e kaluar te Bologna.
Holandezi nuk po përshtatet te Manchester United dhe mund të ndryshojë skuadër në merkaton e Janarit.
Megjithatë Zirkzee nuk është i vetmi që ndiqet nga “Zonja e Vjetër”. Sipas raportimeve nga Italia, bardhezinjtë pëlqejnë edhe Kolo Muani.
Sulmuesi francez po has vështirësi te PSG-ja, me trajneri Luis Enrique që nuk e konsideron si titullar të parë. Kolo Muani po mendon të ndryshojë ekip, por arritja e një marrëveshje për Juventusin nuk do të ishte e lehtë.
PSG-ja e afroi një vit më parë për 90 milionë euro sulmuesin, ndërsa vetë lojtari merr një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon, diçka që nuk i plotësohet te Juventusi.
Drejtori Giuntoli do të provojë të arrijë një marrëveshje, e cila gjithsesi duket e vështirë. /tvklan.al