Një grua ka gjetur unazën e saj të fejesës 54 vjet pasi e humbi atë teksa ushqente bagëtitë në fermën e familjes në vitin 1970. Tanimë 76 vjeç, Marilyn Birch nga Uellsi ka treguar se momenti i gjetjes së unazës së saj ishte “ribashkim emocional”.

“Vazhdova të shikoja herë pas here vetëm në rast se do ta dallonim diku. Përfundimisht hoqëm dorë dhe menduam se nuk do ta shihnim më kurrë atë unazë”, ka treguar ajo.

Mirëpo, detektori Keith Phillips kishte ide të tjera. Ndër vite, ai kishte ardhur disa herë në fermë për të eksploruar tokën për thesaret e saj.

“Ai na tregonte monedha dhe copa të ndryshme që gjente në pjesë të ndryshme të fermës. Dhe një mbrëmje kur ai po largohej nga këtu, i thashë si shaka tani, dëgjo tani Keith, mos u shqetëso për gjithë këto mbeturina që po gjen, por shko dhe gjej unazën time të fejesës”, tregon 76-vjeçarja për “Sky News”.

Në ato momente, të dyve iu dukej e pabesueshme të ndodhte një gjë e tillë, por vetëm një javë më vonë, Phillips telefonoi zonjën Birch për t’i dhënë lajmin e shumëpritur prej një gjysëm shekulli: Unaza e saj e fejesës ishte gjetur.

“Ishte ‘varrosur’ tetë centimetra poshtë në tokë në një nga fushat. Isha pa fjalë. Ishte shumë emocionuese për mua dhe për Keith që gjeti këtë unazë për mua”, tregon e moshuara.

Mes emocioneve të bukura, Birch ka thënë se e ka pastruar dheun nga unaza me një furçë dhëmbësh dhe nuk e ka hequr nga gishti që në momentin “e ribashkimit”.

76-vjeçarja jeton me bashkëshortin e saj 80-vjeçar, Peter Birch me të cilin u fejua para më shumë se gjysëm shekulli për të jetuar përgjithmonë bashkë e tanimë edhe me unazën e fejesës.


/tvklan.al