Gazetarja Erikleda Dorezi ka treguar me detaje se në çfarë rrethanash ka ndërruar jetë mesditën e sotme ish-deputeti i PD Gerti Bogdani. Për “Opinion”, Dorezi tha se atij i është dhënë ndihma e parë që tek hoteli ku po pinte kafe dhe është tentuar disa herë rikthimi i parametrave jetësorë, por nuk ka pasur asnjë reagim.
Sipas gazetares, në kartelën mjekësore si shkak i vdekjes është shënuar insuficienca kardiake pulmonare.
Erikleda Dorezi: Në fakt, rreth orës 11:30, një telefonatë në urgjencën e 127-ës, alarmi i kuq…Është raportuar për një person i cili ka humbur ndjenjat në një lokal, në një hotel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ambulanca është nisur drejt vendit të ngjarjes, ajo që ne dijmë të paktën nga bluzat e bardha është që i është dhënë ndihma e parë te hoteli…
-Ishte me shenja jete në momentin që ka mbërritur ambulanca?
Erikleda Dorezi: Ishte pa shenja jete sepse ka tentuar ekipi mjekësor që ta sillte në jetë. Edhe gjatë transportimit për në spital drejt Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” është kryer reanimimi kardiovaskular, që do të thotë rikthim i parametrave jetësorë, por nuk ka qenë e mundur….
-Bogdani ka qenë në lokal në shoqërinë e miqve të tij, ka pasur ndonjë shqetësim?
Erikleda Dorezi: Ka treguar në fakt se ka pasur vështirësi në frymëmarrje dhe është drejtuar për te tualeti i hotelit, ku është gjendur pa shenja jete. Pastaj është njoftuar 127-a, është dhënë ndihma e parë, është bërë transportimi për në spital, nuk kanë arritur mjekët që ta risjellin në jetë. Në orën 12:00 ka mbërritur në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pa shenja jete. Sërish në bazë të protokollit shëndetësor, i është dhënë sërish ndihma, duke tentuar rizgjimin. Nuk ka pasur asnjë reagim! Për rreth 15-45 minuta mjekët kardiologë janë përpjekur me të gjitha metodat mjekësore e medikamentet për ta risjellë në jetë, por s’ka qenë e mundur. Më pas trupi i të ndjerit është transportuar në morg, aty ku është tërhequr më pas nga familjarët. Në kartelën mjekësore është shënuar, insuficiencë kardiake pulmonare.
/tvklan.al