Publikon pasaportën. “S’jam dënuar, kam hyrje-dalje në Greqi”
Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka reaguar pas akuzave të bëra ditën e sotme nga Partia Demokratike. Selia blu publikoi dokumente, që sipas saj, provon në mënyrë të pakontestueshme që Jorgo Toto, i arrestuar në vendin fqinj, është Kryebashkiaku aktual i Vorës. Por ky i fundit nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook, hedh poshtë akuzat e PD dhe shprehet se selia blu shumë shpejt do gjejë një babale tjetër.
“Tellalli i PD u mor me mua prapë sot, po s’ka problem se e vërteta vonon po nuk harron. Unë paskam urdhër arresti në Greqi dhe hykam e dilkam sa herë dua! Ja ku e kam që kam hyrë e kam dalë nga Greqia para se të dilte emri kandidat. E vërteta ime do vërtetohet siç e kam thënë, po jo nga limoni i shtrydhur i PD po nga autoritetet. Unë s’jam arrestuar dhe s’jam dënuar në Greqi po kam bërë punë me emër tjetër si gjithë shqiptarët. Po të isha ne kërkim s’do hyja dhe dilja sipas qejfit! Prandaj le të hyje Luli dhe lë të dali Gaz Bardhi sa të dojë duke i ra fyellit me një vrimë, se rëndësi ka e vërteta. E vërteta është me mua dhe unë jam me të vërteten! Shumë shpejt do gjejnë një babale tjetër se babale mua s’më bëjnë dot.”
Postimin e tij, Kajmaku e shoqeron dhe më foto të pasaportës kur tregon hyrjet dhe daljet në Greqi.