Zv/Presidentja amerikane Kamala Harris pranoi zyrtarisht nominimin e demokratëve për kandidate për Presidente të SHBA-së duke u zotuar për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të luftuar tiraninë në botë.

“Në luftën e vazhdueshme midis demokracisë dhe tiranisë, e di se ku qëndroj unë dhe Shtetet e Bashkuara”, tha Harris duke hedhur akuza në drejtim të rivalit të saj Donald Trump se u përkul para diktatorëve.

Në fjalimin e saj në ditën e katërt dhe të fundit të Konventës Demokrate, Harris premtoi se do të shkruajë një rrugë të re dhe se do të jetë presidente e të gjithë amerikanëve.

Harris dha një premtim duke e siguruar Izraelin për të rikthyer pengjet në shtëpi, e nga ana tjetër u zotua t’i japë fund luftës në Gaza.

“Tani është koha për të arritur një marrëveshje për pengjet dhe një marrëveshje armëpushimi. Më lejoni të jem e qartë, gjithmonë do të mbroj të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe gjithmonë do të sigurohem që Izraeli të ketë aftësinë për të mbrojtur veten. Ajo që ka ndodhur në Gaza gjatë 10 muajve të fundit është shkatërruese. Kaq shumë jetë të humbura, njerëz të uritur dhe të dëshpëruar që vazhdojnë të largohen. Presidenti Biden dhe unë po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gaza të marrin fund dhe populli palestinez më në fund të realizojë të drejtën për dinjitet, liri, siguri dhe vetëvendosje”, deklaroi Kamala Harris.

Në deklaratat e saj për politikën e jashtme, zv/Presidentja amerikane tha se do të ndërmerrte çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur interesat e SHBA kundër Iranit.

Ajo u zotua që së bashku me aleatët e NATO të qëndrojë në krah të Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Në lidhje me politikat e brendshme, Harris e akuzoi gjithashtu Trumpin se në programin e tij nuk lufton për klasën e mesme të popullsisë duke thënë se ai planifikon të miratojë një rritje taksash.

Nëse Kamala Harris fiton përballë Donald Trump në zgjedhjet e Nëntorit, ajo do të jetë Presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/tvklan.al