Ministria e Brendshme hedh poshtë komentet dhe reagimet pas intervistës së zv/ ministrit Julian Hodaj për kanalin gjerman ZDF ku ai citohej se në raste emergjence Shqipëria mund të strehojë deri në 600 mijë emigrantë duke iu referuar krizës së Kosovën në vitin 1999. Në një reagim, një ditë pas kësaj deklarate, Ministria e Brendshme thotë se Shqipëria nuk ka në plan dhe as nuk i është kërkuar të ndërtojë kampe për refugjatët.
“Ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim. Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë”.
Ministria e Brendshme thotë se deklarata e zv.ministrit është keqinterpretuar pasi ai është pyetur se çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh dhe se zyrtari shqiptar është përgjigjur bazuar mbi një situatë hipotetike.
Çështja e emigrantëve ishte në fokus edhe të takimit që ministri Xhafaj pati në Bruksel me Komisionerin për Migracionin, Dimitris Avramopoulos. Xhafaj ka kërkuar një vëmendje më të madhe të Brukselit për rritjen e kapaciteteve në kufirin me Greqinë nga edhe janë flukset më të mëdha të emigrantëve gjatë muajve të fundit.
Tv Klan