Qeveria italiane publikon tenderin për ngritjen e objekteve me vlerë 34 milionë Euro
Ministria e Brendshme e Italisë ka publikuar tenderin për menaxhimin e tre ambienteve të pritjes së emigrantëve që do të hapen në Shqipëri, pas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.
Kjo është një procedurë gjatë të cilës shteti identifikon organizatat e përshtatshme për të menaxhuar strukturat, ndërkohë që organizatave u kërkohet të paraqesin një ofertë deri më 28 Mars, ndërsa kontrata do të ketë një vlerë prej 34 milion Eurosh. Afatet janë padyshim të ngushta për shkak të datës së hapjes pasi qeveria italiane dëshiron të hapë objektet deri më 20 Maj të këtij viti.
Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, rreth 70 kilometra në veri të Tiranës, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit. Objekti në portin e Shëngjinit do të ketë një klinikë mjekësore të dedikuar për kujdesin shëndetësor, një dhomë për vizitat ambulatore, një dhomë me tre shtretër dhe një izolim. Dy objektet e tjera do të vendosen në Gjadër.
Një qendër do t’i kushtohet konstatimit të parakushteve për njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare dhe do të jetë në gjendje të akomodojë maksimumi 880 persona, ndërsa struktura e dytë është në një qendër paraburgimi për riatdhesim me një kapacitet maksimal prej 144 personash. Të tre strukturat do të mund të strehojnë pak më shumë se një mijë persona në të njëjtën kohë dhe mes tyre nuk mund të ketë të mitur, gra shtatzëna dhe persona të tjerë të konsideruar të pambrojtur.
Në njoftimin e tenderit ka detaje edhe të veshjeve që do tu vihen në dispozicion. Emigrantëve do të ofrohen pantallona, një këmishë e poshtme, një bluzë, një pizhame, tre pantallona të shkurtra dhe tre palë çorape. Po ashtu do tu vihet në dispozicion edhe një paketë higjieno sanitare.
Qeveria italiane synon që në kampet që do të hapen në Shqipëri, do të dërgohen personat e shpëtuar nga autoritetet në det, pra jo ata të cilët shpëtohen nga organizatat jo qeveritare.
Mediat italiane raportojnë se ngritja e qendrave të emigrantëve në Shqipëri do ketë një vlerë prej 34 milionë Eurosh, dhe kësaj vlere duhet t’i shtohen rimbursimet për shërbimet e transportit, shërbimet komunale, grumbullimin e mbetjeve, mirëmbajtjen e zakonshme, lidhjen Wi-Fi dhe kujdesin shëndetësor. Rimbursimi për këto shërbime nuk është përcaktuar ende.
Klan News