Qeveria italiane synon që kampet të hapen brenda 20 Majit
Nisin punimet për kampin e refugjatëve në Gjadër të Lezhës, pas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.
Prej disa ditësh makineritë janë stacionuar brenda zonës ushtarake në hyrje të fshatit ku do ndërtohet kampi i pritjes së refugjatëve të paligjshëm të shpëtuar nga autoritetet italine në det.
Banorët thonë se janë të paqartë se çfarë do të ndodh.
“Punimet kanë filluar prej 4 ditësh. Nuk di se çfarë do të bëhet dhe deri kur do të vijnë refugjatët.”
Ndërkohë sipas burimeve të ushtrisë, nuk janë të qarta direktivat në lidhje me godinat egzistuse nëse mund të ndryhet në to, apo do të lihen të pa prekura.
Qeveria italiane do të ndërtojë tre qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri të cilat kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojë rreth 36 mijë persona në vit.
Pak ditë më parë ministria e Brendshme e Italisë zhvilloi edhe tenderin për menaxhimin e tre ambienteve të pritjes së emigrantëve që do të ngrihen në Shqipëri. Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.
Objekti në portin e Shëngjinit do të ketë një klinikë mjekësore të dedikuar për kujdesin shëndetësor.
Pas zbarkimit që do bëhet në Shëngjin, emigrantët do të spostohen në dy strukturat e tjera që po ndërtohen në Gjadër. I gjithë perimetri do të rrethohet nga një mur afro 7 metra i lartë që do të shërbejë për të rritur sigurinë pasi fare pranë kampit ndodhen edhe banesa të fshatit Gjadër dhe Kakarriq.
Kontrata për menaxhimin e këtyre qendrave do të ketë një vlerë prej 34 miliona Eurosh. Ndërkohë që synimi i qeverisë italiane është që këto objekte të hapen deri më 20 Maj të këtij viti.
Klan News