Kampionati shqiptar i futbollit ka patur deri në javën e tij të 17-të të gjitha ngjyrat nga fitoret me bujë e deri të dhuna apo degdisja e Partizanit në vendet e fundit në renditje.
Një panoramë që pati vendin e saj në rreshtat e gazetave dhe kronikat televizive radiofonike. Kjo mori ngjarjesh në fund pa skuadrën fituese të dimrit, Vllazninë.
Ekipi i Agim Canajt e nisi ngadalë, por në javën e 13-të një numër pafat për skeptikët mori kreun e renditjes dhe nuk e ka lëshuar më duke e mbyllur katër pikë larg ndjekëses më të afërt, Tiranës.
Astrit Hafizi: “Skuadrës i është lënë mundësia, i është lënë koha këtij trajnerit, normalisht. Është besuar, normalisht, që të punojë i qetë, t’i krijohen kushtet dhe kjo është më kryesorja për një skuadër”.
Vllaznia është në formë, por humbja e fundit me Dinamon brenda në Shkodër 1 me 0 mund të quhet dhe si një dritare për një kampionat ende të hapur.
Ekipi më i vjetër në Shqipëri megjithatë ka një mundësi konkrete për të fituar titullin, ndoshta një përsëritje e vitit 2001 ku e mbylli dy pikë larg Tiranës, por cilat ishin pikat e tjera të forta të gjysmës së kampionatit?
Shumë skuadra e kanë prekur në 17 javë kreun, ndërsa Dinamo, kampionia në fuqi, së bashku me Elbasanin kanë shënuar më shumë barazime, tetë në total.
Skuadra e Daliçit renditet e treta, por njeh vetëm dy disfata deri më tani me Tiranën dhe Bylisin.
Kampionati është ende i gjatë pasi mbeten edhe 16 javë ku pritet të vendoset fituesi i trofeut, por edhe nëse Partizani do t’i shpëtojë rënies nga kategoria./tvklan.al