Demokratët përmes procesit të primareve kanë zgjedhur në 12 qarqe kandidatët që do të garojnë për deputetë në zgjedhjet e 11 Majit. Përmes votimit një anëtar një votë, demokratët zgjodhën mes 288 garuesve në të gjithë vendin.

Kryedemokrati Sali Berisha pasi votoi në selinë blu, e cilësoi këtë proces si historik dhe një akt shprese për demokracinë dhe pluralizmin e vendit.

“Ditë e rëndësishme për pluralizmin politik në Shqipëri dhe për lirinë. PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e anëtarëve të saj, qytetarëve të Shqipërisë. Ktheni pak kokën dhe shihni ç’ndodh në partinë tjetër se në çfarë kthetrash janë në këtë periudhë. Ky është një akt shprese për shqiptarët, që liria nuk do shuhet kurrë në këtë vend”, u shpreh Berisha.

Të drejtën e votës për të zgjedhur kandidatët e garës së 11 Majit e patën anëtarët e Partisë Demokratike sipas listës së vitit 2021.

Pasi të numërohen të gjitha votat, gjatë së dielës Partia Demokratike pritet të ketë një listim të kandidatëve të primareve në të 12 qarqet e vendit. Por kjo listë do të kaloje edhe filtrin final të kryesisë blu që të marrë edhe miratimin final.

Klan News