Lajme Arkiva 2003

Gjatë kësaj fushate elektorale kandidatët për kryetar bashkish dhe komunash i kanë kërkuar votën qytetarëve pasi kanë ofruar alternativat e tyre, por në komunën e Lekaj në rrethin e Kavajës ka ndodhur krejt ndryshe.

Është komuniteti që ka hartuar një platformë me të gjitha prioritetet e tij dhe pas kësaj ka ftuar në një debat në prani të tyre dy kandidatët , atë të Partisë Demokratike  Myrteza Uku dhe atë të Partisë Socialiste Zija Mema.

Qëllimi ka qenë që zgjedhësit të informohen se sa nga problemet e tyre më shqetësuese që janë energjia elektrike, çështjet e pronësisë, rrugëve dhe politika e investimeve, kanë gjetur vend në platformat e tyre elektorale dhe se kur e si do të zgjidhen ato.

Diskutimi i monitoruar nga përfaqësues të programit të forumit civil të Institutit Demokratik Amerikan për punët e jashtme i financuar nga USAID është bërë mbi bazën e disa rregullave, ku dy kandidatët janë ftuar të respektojnë orarin e debatit dhe limitin kohor në dispozicion, mbajtjen e qetësisë nga të pranishmit dhe mosndërhyrjen e kandidatit tjetër gjatë diskutimit.

Pasi ka përfunduar ballafaqimi, prioritetet që duhet të zgjidhë fituesi i garës së 12 tetorit kanë qenë më të qarta për kandidatët për kryetar të komunës së Lekajt por edhe alternativat e shpalosura prej tyre e kanë bërë komunitetin të reflektojë më mirë se kujt do të ia japë votën./tvklan.al