Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Drejtuesit kryesor të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike i janë shmangur dy luftimeve në Tiranë, në konkurrimin për deputet. Megjithatë, beteja për kryeqytetin do të përmbajë sfida interesante. Në hartën elektorale të Shqipërisë, qyteti dhe rrethi i Tiranës, përmbledh rreth 15 zona elektorale. Renditja nis me zonën elektorale 30, e cila përfshin Kasharin, Prezën e Vorën. Për socialistët konkurron Zyhdi Pepa, për demokratët Njazi Kosovarasti, ndërsa për socialdemokratët Pavlli Zëri.

Në zonën 31 në Kamëz, socialistët kanë paraqitur Muhamet Bela, ndërsa për demokratët konkurron Shaban Memia. Në zonën 32 të Tiranës konkurrojnë për PS Nezir Seli, për PD Tasim Mema, PAD Gramoz Pashko. Në zonën 33 konkurrojnë për PS Anastas Angjeli dhe për PD Robert Ceku. Në zonën 34 janë kadidatët Spartak Poçi për PS dhe për PD Visar Zhiti. Për zonën 35 konkurrojnë Zamira Çaka për PS dhe Bamir Topi për PD.

Luan Hajdaraga ndeshet me Edi Palokën në zonën 36 të Tiranës. Votuesit e zonës 37 do të zgjedhin mes kandidaturës së Besnik Mustafajit për PD, Edlira Haxhiymerit për PS dhe Petrit Kalakulës për reformatorët. Avokati legalist Spartak Ngjela ka përballë në zonën 38 Zamira Pinon e PS. Në këtë zonë ka kandiduar edhe reformatori Dashamir Shehi. Banorët e Bregut të Lumit dhe Kamzës duhet të zgjedhin mes Vili Minarollit dhe Luan Shahollarit të PS.

Et’hem Ruka dhe Arjan Starova konkurrojnë në zonën 40 të Tiranës. Në zonën 41 konkurrojnë Musa Ulqini i PS dhe Engjëll Hysenbengasi i PD, në këtë zonë konkurron dhe reformatori Genc Pollo. Në lagjen periferike të kryeqytetit konkurron Monika Kryemadhi për PS dhe Mimoza Ahmeti për PD. Hasan Hoxha dhe Myslym Ndroqi do të synojnë të fitojnë një vend në parlament nga votat e banorëve të zonës 45.

Shumica e kandidatëve për deputet banojnë në Tiranë, ndaj në prag të zgjedhjeve do të marrin rrugën drejt qyteteve në skajet veriore e jugore të Shqipërisë, atje ku e kanë më të lehtë të marrin vota për të qenë deputet./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame