Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kandidati i PD për bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela ka vizituar për herë të dytë gjatë fushatës së tij elektorale, njësinë nr.4 në kryeqytet. Kësaj here ai ka zhvilluar një miting elektoral me banorët e kësaj njësie duke i theksuar qytetarëve, se Ngjela nuk bënë vetëm premtime ashtu siç e akuzon kampi socialist, por ka projekte konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Ndër të tjera, Ngjela u ka bërë thirrje simpatizantëve të tij, që ditën e 12 Tetorit të shkojnë në votime, pasi pjesëmarrja e tyre është domosdoshmëri për fitoren e alternativës demokratike.

Spartak Ngjela:- “Ne kemi ardhur në këtë fushatë elektorale, si Parti Demokratike dhe unë si kandidat i Tiranës për t’ju thënë, që problemi i ujit, problemi i shkollës, i arsimit dhe çështja e papunësisë është prioriteti total i PD dhe i imi njëkohësisht”.

Ndërsa gjatë paradites Spartak Ngjela së bashku me disa ekspertë, kanë matur pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, masën e ndotjes në qytetin e Tiranës, ku është konstatuar se kryeqyteti shqiptar është 5 herë më i ndotur se masa e parashikuar nga organizatat ndërkombëtare. Ngjela ka premtuar edhe njëherë, se në rast fitoreje do ta bëjë këtë qytet të banueshëm për të gjithë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora