Qytetarët në kryeqytet e nisin ditën me stres dhe ankth për shkak të përballjes me kaosin e zhurmat e shumta që në mëngjes. Sipas mjekes psikiatre Arjana Rreli këto faktorë negativë ndikojnë në shëndetin mendor dhe në produktivitetin përgjatë ditës.
Arjana Rreli, mjeke psikiatre: Pa dyshim ndotja akustike me zhurmat janë të gjitha çfarë prezantohen në sistemin tonë nervor që në mëngjes pas një qetësie të natës. Patjetër që disa njerëz do të ndjehen të parealizuar në fund të ditës, do të instalojnë akthin e tyre, po pas ankthit mund të vijë shpërqendrimi i ditës që do të vijë që mund ta fusë pastaj në rënien e humorit.
Por cilat janë grupmoshat dhe gjinitë që e përjetojnë më keq kaosin që në nisje të ditës?
Arjana Rreli, mjeke psikiatre: Njerëzit që duan t’i realizojnë gjerat që marrin shumë përsipër që duan t’i bëjnë me shumë përgjegjshmëri. Janë të prekshme të gjitha grupmoshat pa diskutim, por më të prekura janë gjinia femërore dhe mosha aktive, mosha nga 20 vjeç, 45 e deri në 50 vjeç.
Për të nisur ditën sa më mbarë dhe për të përballuar situatat stresuese nga zhurmat dhe rrëmuja e përditshme, mjekja psikiatre ka këtë rekomandim.
Arjana Rreli, mjeke psikiatre: Nuk mund të heqim dorë nga përballja me këtë realitet, pra nuk mund t’i selektojmë ato rrugëtimet tona. Patjetër që aktiviteti fizik është një nga ato gjërat që ne vazhdojmë ta rekomandojmë me forcë. Është ajo që shumica prej nesh e quajnë sakrificë, por që në fakt është një investim edhe për sistemin nervor.
Sipas specialistëve periudha nga Shtatori e deri në Qershor është më problematikja sa i përket ndotjes akustike dhe trafikut të rënduar nëpër kryeqytet, pasi përkon me nisjen dhe përfundimin e vitit shkollor.
Klan News