Policia e Vlorës ka bllokuar rreth 18 kg kokainë në portin e këtij qyteti. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Policisë së Vlorës Josif Shtëmbari, i cili ka pohuar se droga e paketuar në 36 pako është gjendur rreth orës 13:00 pas informatave të siguruara në rrugë operative.
Kokaina është gjendur në shasinë e një mauneje me targa Vlore e cila po përgatitej të nisej në Itali me tragetin e linjës Vlorë-Brindisi. Policia ka shoqëruar për në komisariat 50-vjeçarin nga Vlora, F. Z., drejtues i automjetit, si dhe dy bashkëortakët e tij L. K. 48-vjeç dhe A. C. 37- vjeç, të dy nga Vlora.
Ndërkohë, po sot, Policia e Fierit ka ndërmarrë një aksion të befasishëm në orët e para të mëngjesit në hotelin “Grand Albania” në pikën turistike të Ardenicës pas infomracioneve se aty ishin fshehur sasi të mëdha lëndësh narkotike. Pas kontrollit policia ka sekuestruar një sasi prej 13 kg heroine.
Nga hetimet e para rezulton se në këtë vepër penale janë implikuar pronari i hotelit S. C. nga Fieri si dhe H. Sh., banor i fshatit Libofshë të rrethit të Fierit, të cilitm në momentin e ndalimitm i është gjetur edhe një pistoletë. Pas kontrollit në hotel janë shoqëruar për në komisariat dhe disa shtetas të tjerë, por më pas janë lënë të lirë pasi nuk ka pasur prova se ishin të implikuar në këtë çështje. /tvklan.al