Kategoria e Parë ka mbyllur vitin me tre ndeshje interesante dhe rezultate surprizë.

Vora u ndal në transfertë nga Pogradeci, në barazim 1-1. Një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja ekipet, e cila nuk prodhoi fitues në fund.

Për Vorën shënoi i përhershmi Ruzgis në minutën e 79-të, ndërsa Pogradeci barazoi me Kostika Beçkën në minutën e 90-të.

Pavarësisht barazimit, Vora mban vendin e parë me 41 pikë, ndërsa Pogradeci renditet në vendin e gjashtë me 23 pikë.

Surprizë ishte edhe fitorja e Apolonisë ndaj Besës, me rezultatin 2-0. Golat e Maksutit dhe Umeijego, i dhanë triumfin fierakëve, që ngjiten në vendin e tetë me 19 pikë. Besa shpërdoron një mundësi të mirë për të marrë vendin e parë, ndërsa mbetet e treta me 38 pikë.

Në sfidën tjetër, Kastrioti mposhti me rezultatin 2-1 Erzenin. Krutanët mbajnë vendin e pestë me 26 pikë, ndërsa shijakasit renditen në vendin e fundit me vetëm 4 pikë.  /tvklan.al