Janë zbuluar gjysmëfinalistet e Kupës së Shqipërisë, në edicionin e 16-të për vajza. Biletën e kanë siguruar Apolonia, Egnatia, Tirana dhe Kinostudio.
Në një format tërësisht të ri, skuadrat u ndanë në tri grupe sipas renditjes së tyre në fazën e parë të kampionatit. Në fundjavë dhe sot u luajtën tri ndeshjet e fundit në secilin grup, duke përcaktuar kështu edhe skuadrat gjysmëfinaliste.
Apolonia u rendit e para në grupin A. Edhe pse me pikë të njëjta me Partizanin dhe Gramshin, fieraket u kualifikuan për shkak të golavarazhit më të mirë. Në takimin e ditës së sotme, Partizani mposhti Apoloninë me rezultatin 4-3. Një fitore që nuk vlen për kryeqytetaset, pasi nuk kalojnë dot në fazën tjetër.
Egnatia u rendit e para në klasifikimin e grupit B me 6 pikë. Në vendin e dytë u rendit Kinostudio me 3 pikë dhe në vendin e tretë Laçi me 0 pikë.
Tirana siguroi kalimin në fazën e 4 më të mirave, pasi kryeqytetaset u renditën të parat në grupin C me 6 pikë, ndërsa Lushnja dhe Teuta ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me nga 1 pikë.
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/8ca00969-7a23-422e-9743-23eed5d17d8c-1024x576.jpeg)
Në fazën gjysmëfinale ka siguruar kalimin edhe ekipi i Kinostudio, si skuadra e dytë më e mirë në të treja grupet falë golavarazhit më të mirë.
Për përcaktimin e çifteve gjysmë finaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet katër ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje. /tvklan.al