Kjo valle e njohur si “K’cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO. Ajo ka marrë notë pozitive nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja e cilësoi një lajm të jashtëzakonshëm.

“K’cimi i Tropojës” është një tjetër element unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, që promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare.

“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.

Lëvizjet ritmike, të shoqëruara me tupan, çifteli dhe fyell, simbolizojnë energjinë dhe gëzimin që karakterizojnë këtë komunitet, ndërsa shoqërohen me veshjet tradicionale.

“K’cimi i Tropojës” mbetet i gjallë përmes transmetimit brez pas brezi, duke e kthyer në një simbol kombëtar të identitetit kulturor shqiptar.

Përfshirja e “K’cimit të Tropojës” në listën prestigjioze të UNESCO-s ka nisur përmes nismës së Shoqatës “Kërcimi i Tropojës” në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe mbështetjen e fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Klan News