Nga Tirana në Bruges presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka marrë pjesë në hapjen e vitit të ri Akademik të Kolegjit të Evropës.

Ursula von der Leyen: Sot, Evropa ndodhet në një tjetër pikë kthese, ashtu si në vitin 1989. Ka një moment të ri në të gjithë Evropën për të bashkuar kontinentin tonë. Vetëm fundjavën e kaluar kur inauguruam së bashku kampusin e ri në Tiranë pashë entuziazmin e të rinjve të Ballkanit Perëndimor që mezi presin t’i bashkohen familjes tonë. Zgjerimi i Bashkimit Evropian ishte në krye të axhendës time politike gjatë mandatit të parë. Do të jetë kështu, edhe në mandatin tim të dytë. Po shpall një nismë të re. Kolegji i Evropës dhe Komisioni do të nisin një program të ri për diplomatët e rinj nga shtetet e ardhshme anëtare, bazuar në modelin e Akademisë Diplomatike Evropiane. Një ditë, jo aq larg, të gjithë do të jemi pjesë e një familje, me politikë të jashtme të përbashkët. Pra, ne duhet të fillojmë sot trajnimin e një gjenerate të re diplomatësh të së nesërmes.

Në këtë ceremoni, Ursula Von der leyen deklaroi se Kolegji i Evropës dhe Komisioni i Europian kanë vendosur që të nisin një program të ri për diplomatët nga shtetet e ardhshme anëtare të Bashkimit Europian bazuar në modelin e Akademisë diplomatike Evropiane.

Ursula von der Leyen: E di që disa janë skeptikë për shkak të pasigurive që lidhen me agresionin në vijim të Rusisë kundër Ukrainës dhe kostove të zgjerimit, por kostoja e një BE-je jo të plotë është shumë më e lartë. Kostoja e fragmentimit sjell më pak prosperitet. Kemi kosto të luftës dhe të destabilizimit në kufinjtë tanë. Dua t’ju dërgoj një mesazh autokratëve në mbarë botën se forca brutale nuk mund të thyej vullnetin e lirë të njerëzve të lirë. Ne thjesht nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë.

Prioriteti i Von Der Leyen zgjerimi i BE-së pavarësisht kostove.

Klan News