Gjergj Leka, Rovena Ibrahimi, Shpat Kasapi, Maja dhe dueti Aurel Thellimi e Astrit Qerimi janë pesë finalistët e parë të Festivalit të Muzikës Tradicionale dhe Qytetare “Kënga ime”.
Në përfundim të mbrëmjes së dhjetë, pra natës së parë gjysmëfinale, në skenën e Teatrit të Televizionit Klan, u ngjitën 12 artistë. Ata konkuruan mes njëri – tjetrit me këngët fituese të dala nga netët e kaluara.
Pas konkurimit live i takoi katër anëtarëve të jurisë të japin pikët për secilin nga artistët. Në formulën e hartuar nga autorët e programit, Pandi e Bledi Laço dhe Adrian Hila, ishte parashikuar që në këtë mbrëmje gjysmëfinale të përzgjidheshin katër artistë, por për shkak të barazimit mes Majës dhe duetit Aurel Thellimi e Astrit Qerimi u vendos që ata të kalojnë në finalen e madhe të “Kënga ime”.
Në spektaklin, ku ethet e konkurimit ishin të mëdha, po aq të mëdha ishin edhe emocionet që përcolli mjeshtëria e koreografit Albi Nako. Nën tingujt e këngës së Rozana Radit, trupa e baletit e Televizionit Klan interpretoi “Ti ske zemër”, një nga hitet e “Kënga magjike 2012”.
Mbrëmja e dytë gjysmëfinale e “Kënga ime”, do të ndryshojë vetëm për një natë ditën e transmetimit. Për shkak të finales së Champions League, Festivali do të jetë në transmetimit të drejtpërdrejtë ditën e Diel, në 25 Maj.
Tv Klan