Në një lidhje në Skype nga Prishtina për emisionin “Historia ime” në TV Klan ishte këngëtarja Eliza Hoxha.
Në lidhje me situatën e krijuar në vendin tonë, por edhe në Kosovë dhe gjithë botën si pasojë e koronavirusit, Eliza u shpreh se duhet të mundohemi të jemi të durueshëm që të ruajmë veten dhe të tjerët.
Eliza Hoxha: Të themi mirë, nëse e marrim shtruar dhe me seriozitet, ashtu si kërkohet nga instruksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Po mundohemi të gjithë të bëhemi të durueshëm dhe të mirësjellshëm në këtë kontekst, me idenë që ta kursejmë veten dhe ti ruajmë edhe të tjerët natyrisht.
Më tej, këngëtarja shtoi se ky virus ka nxjerrë në sipërfaqe momente që i kemi harruar ose nuk i kemi vlerësuar si duhet.
Eliza Hoxha: Për mua personalisht, nëse e ndërroj fokusin dhe perspektivën dhe fokusohem tek aspekti antropologjik, tek aspekti i jetës së përditshme. Mendoj që momenti i këtij virusi ka nxjerrë në sipërfaqe momente që i kemi harruar, ose si kemi vlerësuar si duhet. Ideja e të qenit bashkë me njëri-tjetrin, ideja e komunikimit direkt. Ne kemi shkuar në kafe, por më shumë kemi ndenjur në telefon, sesa me njëri-tjetrin. Ndërsa sot që jemi të privuar për të qenë me njëri-tjetrin, ne rrimë në telefon dhe shohim televizion, por kemi mall të jemi bashkë./tvklan.al