Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se do të mbështesë një ligj që ndalon TikTok-un në vend, pas shqetësimeve për sigurinë kombëtare nëse kompania e saj mëmë, me bazë në Kinë, nuk e shet platformën para 19 Janarit. Kështu shkruan BBC, megjithatë vendimi nga gjyqtarët më të lartë amerikanë nuk është marrë ende dhe pritet të jepet në ditët në vijim.

Nëntë gjykatësit supremë dëgjuan të premten përfaqësuesit ligjorë që përfaqësojnë TikTok-un dhe krijuesit (ose siç njihen content creators) të cilët argumentuan se ndalimi është dhunim i fjalës së lirë teksa platforma ka më shumë se 170 milionë përdorues në SHBA. Nga ana tjetër qeveria amerikane argumentoi se nëse nuk shitet, TikTok mund të përdoret nga Kina si mjet për spiunazh dhe manipulim politik.

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas 9 ditësh, tashmë është kundër ndalimit. Ligji i miratuar nga Kongresi amerikan kërkon që ByteDance, kompania mëmë e TikTok-ut, ta shesë kompaninë në SHBA ose të mbyllë operacionet prej 19 Janarit. Kompania tha se nuk do ta shesë platformën me video të shkurtra. Ligji në fjalë kaloi me mbështetjen e Demokratëve dhe Republikanëve, në një moment që shënoi kulmin e shumë viteve shqetësim rreth platformës shumë popullore, e cila njihet për videot që shkojnë virale dhe tërheqjen kah të rinjve.

Legjislacioni në fakt nuk e ndalon përdorimin e aplikacionit, por kërkon që gjigandët teknologjikë si Apple dhe Google ta ndalojë së ofruari si dhe të mos lejojnë përditësimet. Kjo sipas analistëve do të sjellë “vdekjen” me kalimin e kohës të platformës.

TikTok-u ka mohuar çdo ndikim të mundshëm nga Partia Kineze Komuniste dhe është shprehur se ligji dhunon të drejtën e lirisë së shprehjes së përdoruesve të vet. Noel Francisco, avokati i TikTok-ut, theksoi se ndalimi në platformën më popullore mund të hapë derën për një formë më të rrezikshme censurimi për amerikanët. Ai argumentoi se “qeveria nuk mund ta kufizojë shprehjen në mënyrë që të na mbrojë nga fjala e lirë”.

“Kjo është ajo që bën ky ligj nga fillimi gjer në fund”, tha ai.

Përfaqësuesi i krijuesve në platformë argumentoi se ata duhet të jenë të lirë të zgjedhin vetë se ku duan të publikojnë. Jeffrey L Fisher tha se Amerika është përballur historikisht me “fushata ideologjike nga kundërshtarët e huaj”. Por sipas tij, nën Amendamentin e Parë, idetë e thjeshta nuk përfaqësojnë kërcënim kombëtar.

Nga ana e qeverisë foli, avokatja e Departamentit të Drejtësisë, Elizabeth B Prelogar, e cila i tha gjykatës se lidhjet e ByteDance me qeverinë kineze e bëjnë atë një rrezik të sigurisë kombëtare. Ajo i tha gjykatës se Pekini “mund ta kthejë në armë TikTok-un në çdo moment për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara”.

Gjatë debatit që zgjati për gati tre orë, nëntë gjyqtarët pyetën më së shumti rreth shqetësimeve për sigurinë kombëtare, çka shkaktoi edhe hartimin e ligjit, si dhe kërkuan sqarime mbi mënyrën si ndikon në shprehjen e lirë.

Për shembull, gjyqtari Brett Kavanaugh theksoi shqetësimet që qeveria amerikane ka ngritur në lidhje me të dhënat që mbledh aplikacioni nga përdoruesit e tij dhe si mund të përdoren ato.

“Duken si një shqetësim i madh për të ardhmen e vendit”, tha ai./tvklan.al