Ky është Petrit Gjeçaj, kryetari i Unionit të Pavarur Studentor. Sipas një deklarate të bërë dje, sot ai është marrë nga një furgon policie dhe është nisur fillimisht për në ambientet e Komisariatit 1 ku është lëvizur më pas në një destinacion të paditur. Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Rendit njofton se Petrit Gjeçaj është shoqëruar vetëm një orë në komisariat ku është këshilluar dhe më pas është lënë i lirë.
Shkak për shoqërimin e tij sipas zëdhënësit ka qenë prishja e rendit publik në ambjentet e Korpusit qëndror të Universitetit të Tiranës, pasi ai nuk është më student i këtij fakulteti. Megjithatë ai sot paradite ka qenë sëbashku me një grup studentësh në ambjentet e Korpusit për t’u takuar me Kryeministrin Ilir Meta, takim i cili nuk është realizuar. Ajo pjesë studentësh që mbështesin Unionin Studentor, ka deklaruar se nëse Meta nuk vjen deri në orën 11:00, atëherë pjesa e studentëve që i mbështesin duhet të hyjë në grevë urie.
“Përfaqësuesit e Unionit të Pavarur nga universitetet e Tiranës kanë marrë vendim që kryeminstrin e Republikës së Shqipërisë, t’a presin deri ditën e hënë në orën 11:00 dhe ai do të përballet me grevën e urisë më qytetaren dhe më civilen që mund të ketë parë ndonjëherë Shqipëria.”
Sipas përfaqësuesit të Unionit të Elbasanit thotë se të gjithë janë gati për të marrë pjesë dhe për t’u vetëflijuar. Lidhur me kërkesat të studentëve, është plotësuar kërkesa e ngritjes së rrogave të pedagogëve. Në emër të qeverisë ka qenë ministri i Arsimit Et’hem Ruka i cili është takuar me një përfaqësi të Unionit të Pavarur dhe është marrë me kërkesat e tyre./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori