Një 35-vjeçar nga Turqia është vënë në pranga në Morinë të Kukësit pasi ishte i shpallur në kërkim. Ai kërkohej nga Gjermania.
Autoritetet atje kërkojnë ekstradimin e tij pasi i është caktuar masa e sigurisë arrest në burg për vjedhje dhe për plagosje.
“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi turk Z. O., 35 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjermane i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje dhe për plagosje”, njoftoi policia.
Uniformat blu shprehen se po vijojnë procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit në Gjermani./tvklan.al