Gjykata Kushtetuese rrëzoi këtë të premte kërkesën e Sali Berishës për të shfuqizuar masën “arrest shtëpie”, të cilën kreu demokrat e zbatoi për 11 muaj. Ndonëse e legjitimoi atë për të drejtën e ankimimit, Kushtetuesja duke vlerësuar thelbin e kërkesës, hodhi poshtë si të pabazuara pretendimet e kreut të opozitës.

“Në aspektin substancial, Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit në shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë. Gjykata, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.”

Po ashtu, gjykata nuk mori parasysh as pretendimin për paligjshmërinë e procedurës parlamentare.

“Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumicë votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar’.”

Në përfundim, Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës në tërësi.

Berisha ndodhet në hetim prej Tetorit të vitit të 2023 për akuzën e korrupsionit pasiv për dosjen “Partizani”, kohë kur u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte”.

Masa e tij u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-Kryeministri Berisha refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës, por më 27 Nëntor 2024 u la i lirë me vendim të GJKKO, në masën “detyrim paraqitje” dy herë në muaj.

Tv Klan