“Transportoi 613 kg kokainë nga porti i Durrësit në Maminas”

Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e Armando Pezakut për t’u gjykuar veçmas dy të bashkëpandehurve të tjerë, të akuzuar për trafikimin e 613 kg kokainë, që u sekuestrua në Shkurt të 2018-s në portin e Durrësit.

Pezaku është shoferi i kamionit që akuzohet se transportoi kontenierin e bananeve ku u gjet droga, nga porti i Durrësit drejt magazinave të kompanisë “Arbri Garden” në Maminas.

Kërkesa për veçim të çështjes erdhi për shkak të bllokimit të procesit ndaj tij dhe të bashkëpandehurve Arbër Çekaj dhe Donaldo Lushaj, edhe pse prokuroria ka kërkuar dënimin e tyre prej Nëntorit të kaluar.

Përmes avokatit të tij, Ardian Visha, Pezaku pretendon se prej 5 muajsh janë shtyrë seancat gjyqësore jo për shkak të tij, edhe pse ai është i gatshëm të kryejë mbrojtjen përballë gjykatës. Por kjo kërkese nuk u pranua nga togat e zeza, me argumentin se është bërë jashtë afateve. Për këtë pala mbrojtëse kërkoi përjashtimin e trupit gjykues.

Në Nëntor të 2019-s, prokuroria kërkoi dënimin me 14 vite burg për biznesmenin Arbër Çekaj, 10 vjet e 8 muaj për Donaldo Lushajn dhe 8 vjet e 8 muaj burg për Armando Pezakun.

Tv Klan