Këshilli Kombëtar ka zhvilluar një votim të fshehtë për propozimin e shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë që shkelën vendimin e kryesisë dhe sipas tyre organizuan struktura paralele.
251 anëtarë ishin dakord me propozimin e Kryesisë për të shkarkuar kryetarin e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka; anëtarët e kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi dhe sekretarët: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi, Ledina Mandia.
Gjithsej kishin votuar 257 anëtarë këshilli nga 479 anëtarë që janë në total. Jemin Gjana tha se 4 vota ishin kundër shkarkimit dhe 2 fletë votimi rezultuan të pavlefshme.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha se sot nuk do të merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim pas disa anëtarë të Kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e Kryesisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar.
Gazment Bardhi: Sot nuk merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim nga funksionet. Disa anëtarë të kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e kryesisë së Partisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar. Përkundrazi! Janë angazhuar për ngritjen e strukturave paralele për te zëvendësuar institucionet e ligjshme statutore të PD. Për ta nuk ka më kryetar partie, nuk ka Sekretar të Përgjithshëm, nuk ka nënkryetarë, nuk ka Kryesi, nuk ka Këshill Kombëtar, përveç kësaj trupe që sillet si celulë ilegale që kërkon t’i mbivendoset institucioneve legjitime të partisë. Për këtë arsye, ata mund të bëjnë çfarë të duan jashtë institucioneve të partisë, por nuk mund të veprojnë si anëtarë të kryesisë qendrore të PD. Ky është propozimi ndaj Këshillit Kombëtar. Nuk po marrim masë disiplinore ndaj askujt, edhe pse interesi elektoral i PD me veprime të tilla, na jepte të drejtën e masave disiplinore sipas nenit 27. Për të mos i fryrë përçarjes, për të mos përjashtuar askënd, propozojmë shkarkimin nga funksionet.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar iu përgjigjën një pyetjeje në fletën e votimit që ishte: A jeni dakord me propozimin e kryesisë për shkarkimin e; Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka; Anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi; Si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi, Ledina Mandia./tvklan.al