Pas një seri protestash para Bashkisë së Tiranës, PD do të mbajë protestë kombëtare më 11 Korrik në orën 20:00 para kryeministrisë.
Vendimi për protestën u mor nga Kryesia e Partisë, në të cilën mori pjesë online dhe kryetari i PD, Sali Berisha.
Para anëtareve të kryesisë, Berisha e cilësoi jetike bashkimin e plotë të demokratëve.
Sali Berisha, kryetar i PD: Unë iu drejtohem ju anëtarë dhe anëtare të Kryesisë, drejtuesve të Partisë Demokratike, është në detyrën tuaj për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokratë dhe demokrate, që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me ne. Asnjëri nga ne nuk ka të drejtë të shikojë asnjërin prej tyre me sy vëngër apo me hatërmbetje.
Krahas akuzave për korrupsion ndaj qeverisë “Rama”, Berisha tha se vetëm krijimi i qeverisë teknike do të garantonte dhe do të ndalonte manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Sali Berisha, kryetar i PD: Detyra jonë është një dhe vetëm një, shpëtimi i Shqipërisë nga ky regjim dhe krijimi i qeverisë teknike. U them shqiptarëve se qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme, sepse Edi Rama nuk ka më legjitimitet.
Ditën e premte në orën 18.00 PD do të mbledh Këshillin Kombëtar, në te cilin do të diskutohen dhe detajet për vijimin e aksionit opozitar pas marrjes zyrtarisht të vulës së partisë.
Klan News