Faktori ndërkombëtar vazhdon ta cilësojnë si të papranueshëm shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës. Pas takimit që përfaqësuesit e vendeve anëtare të QUINT-it zhvilluan me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier ka thënë se ky sulm ka targetuar infrastrukturën kritike të Kosovës. I pyetur nëse mbahet përgjegjëse Serbia për këtë sulm, ai ka thënë se ende është herët të saktësohet një gjë e tillë.
“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende”.
E shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë tha se përsërit thirrjen e përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borreli të cilët e kanë quajtur sulm terrorist e akt sabotimi.
“Patëm një takim me kryeministrin Kurti dhe komunitetin ndërkombëtar. Kryeministri pati mundësinë të na informojë për zhvillimet e së premtes mbrëma. Nga ana e Bashkimit Evropian, Borrelli ka bërë një thirrje të qartë që nuk do ta përsëris sepse dihet tashmë”, tha Avio Orav.
Kosova ka fajësuar Serbinë për këtë sulm. Pas shpërthimit në këtë kanal KFOR ka vendosur njësitë për të siguruar zonën e dëmtuar në Zubin Potok. Ndërsa ushtarët e FSK-së kanë siguruar kanalin në zonën e Vushtrrisë dhe Obiliqit. Shpërthimi ka ndodhur të premten mbrëma ndërsa policia e Kosovës ka arrestuar 8 të dyshuar që kanë të bëjnë me sulmin në disa fshatra të Zubin Potokut.
Tv Klan