Policia e Durrësit ka zbuluar një bazë prostitucioni me kinezë në Durrës. Për këtë arsye është vënë në pranga 50-vjeçari Guangtai Lin ndërsa janë shpallur në kërkim 47-vjeçari Guangcheng Lin dhe 45-vjeçarja Yanxia Zhang. Po ashtu janë proceduar penalisht 7 vajza nga Kina për prostitucion.
Policia thotë se shtetaset kineze rekrutoheshin nga një grup i strukturuar kriminal, ku janë pjesë edhe të shpallurit në kërkim. Në bashkëpunim me disa persona të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar, pasi rekrutonin kinezet, i dërgonin për kryerjen e aktivitetit kriminal të prostitucionit në Shqipëri. Aty u siguronin apartamente dhe makina me qira.
Nga hetimet rezultoi se kinezi i vënë në pranga në Shqipëri bënte menaxhimin dhe kontrollin financiar të vajzave që ushtronin prostitucion. Shumat e përfituara ai ia dërgonte 45-vjeçares Zhang që jeton në Bahrein. Më pas ajo bënte ndarjen e parave. 25% të fitimit i merrte për vete, 35% grupi që drejtonte aktivitetin nga Vietnami dhe 40% vajzat e rekrutuara si pagë në bankë.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime për vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera”, njoftoi policia./tvklan.al