Atmosfera e festave të fundvitit dhe kujtimet ndër vite ishte fokusi i bisedës mes të ftuarve në studion e “Rudina” në Tv Klan. Kartolinat dhe vizitat e urimit për vitin e ri, një traditë kjo e cila me kalimin e viteve është zbehur.
Sot jo shumë vite më vonë, nuk ka më kartolina urimi me fjalë të ndjera, nuk ka më postier që troket tek dera për të dhënë një letër që vinte nga një qytet, shtet apo dhe më larg nga kontinent tjetër. Tani mjafton vetëm një mesazh, një klik dhe puna u krye.
E duke qëndruar tek kjo temë moderatorja e njohur Nisida Tufa tregoi një rast të para pak ditëve i cili e kishte lumturuar pa masë dhe e kishte kthyer pas në kohë. Një teleshikues i saj besnik kishte vendosu që urimin për festat e fundvitit të mos ia dërgonte me një mesazh apo SMS, por me një kartolinë.
Nisida Tufa: Jo më larg se dje shkoj në punë dhe po bëhesha gati, kur më thotë sekretari që ka një zarf. Mendova se mund të ishte ndonjë ftesë. Por, një zotëri i moshuar që i pëlqente shumë emisioni im gjithmonë më dërgon një kartolinë për vitin e ri që unë kisha vite që nuk merrja një të tillë dhe nuk zgjodhi postën elektronike siç bëjmë të gjithë. Sepse ajo që të bëjmë të gjithë, përfshij dhe veten, çojmë mesazhe në grup. Megjithëse vitet e fundit ka një reflektim dhe nuk po bëhet më, bëhen më të personalizuara.
Rudina Magjistari: Sepse e kuptuan ngaqë nuk po merrnin më përgjigje fare.
Nisida Tufa: Unë u ndjeva shumë mirë kur e mora atë kartolinë dhe më pëlqeu shumë me thënë të drejtën. Thashë me veten “sa njeri i mirë” dhe e vlerësova shumë, më dha energji shumë të mirë.
Rudina Magjistari: Dhe mua në fakt kartolina nga teleshikuesit më kanë ardhur, por nuk e praktikojmë me njëri-tjetrin./tvklan.al