“Të zhvillohen edhe si turizëm natyror”
Tashmë me ligjin e ri bashkitë mund të administrojnë pyjet jashtë zonave të mbrojtura. Nga Berati, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, tha se pushteti vendor do të vjelë të ardhura nga administrimi i tyre.
“Tashmë me ligjin e ri Bashkitë jo vetëm janë pronarë legalë të pyjeve, por janë dhe përfitues të drejt për drejt të të ardhurave që mblidhen nga ky aktivitetet, por fatkeqësisht vazhdojmë të pranojmë nga pyjet shqiptare i vetmi burim dhe e vetmja e mirë që na vjen prej tyre janë drutë e zjarrit. Ndërkohë që në shekullin që jetojmë në 10-vjeçarin 2020-2030, ne duam ta shpallim si një 10-vjeçar që shkon shumë më shumë, drejt një ekonomie të gjelbër në vendin tonë. Pyjet nuk duhet të jenë një hambar i madh i druve të zjarrit, drutë duhet të jenë një pasuri kombëtare”, tha Klosi.
Klosi tha se pyjet duhet të zhvillohen edhe për turizëm natyror.
“Pylli është një pasuri e madhe për të prodhuar para, për të prodhuar punësim, për të prodhuar ekonomi”.
Sipas ministrit Klosi, Moratoriumi i Pyjeve ka dhënë efekte pozitive pasi nuk ka më prerje të pyjeve masive siç ka ndodhur vite më parë në pyje.
Tv Klan