Ish-kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi e sheh si hap pozitiv të Prokurorisë Shqiptare rihapjen e hetimeve mbi zbardhjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Në një intervistë për TV Klan Klosi thotë, se mbi të gjitha këto hetime do të rikthejnë reputacionin e SHISH-it, donëse e quan të vonuar procesin e rihapur nga organi i akuzës.
Fatos Klosi: “Prokuroria i pati shumë kohë në dorë ata njerëz, se ata ndenjën ca kohë brenda dhe unë them që duhet të kishte arritur që të nxirrte të vërtetën. E para për familjen, e dyta me këtë që ndodhi në Kosovë, në Kosovë ai quhet hero dhe ku ka rënë ky hero, ku ka rënë nga duart e SHIK-ut shqiptar edhe kjo është akoma më e rëndë prandaj duhet çuar deri në fund akoma më shumë problemi dhe e treta edhe për nderin e SHIK-ut.”
Nën hetim për zhdukjen e Hoxhës në vitin 1995 janë 4 ish-drejtues të Shërbimit Informativ, por për ish kreun e tij ky fakt nuk ka të bëjë me keqfunksionimin në tërësi të këtij institucioni dhe konsiderohet si rast i izoluar.
Fatos Klosi: “Unë e mbaj veten nga ana e SHIK-ut, jo për gabimet që ka bërë, po gjithsesi kam qenë kryetar i tij dhe e quaj që nuk do të ishte mirë, që unë të akuzojë paraardhësit e mi, konkretisht. Ka institucione që e kanë për detyrë këtë punë le ta bëjnë. Prokuroria për sa kohë që ju rikthye problemit, kjo tregon që o kanë prova të reja, ose kanë bërë një analizë më të thelluar të provave e që kanë pasur dhe kanë arritur në konkluzionin, që po këtu ka elementë të krimit. E mira është që opinioni publik të mos dijë shumë gjëra për SHIK-un. SHIK-u është një institucion që e ka që në fillimet e ligjit të vetë, punën e tij e ka sekrete. Kjo është dallimi që ka SHIK-u nga policia.”
4 ish punonjës të Shërbimit Informativ janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Krimeve të rënda pas 13 vjet hetimi intensiv, mbi ta janë ngritur 2 akuza si rrëmbim dhe torturë të shtetasit Remzi Hoxha. Trupi i viktimës nuk është gjendur, ndërsa të katërt të pandehurit pritet të mbrohen përpara një trupi gjykues që do të shqyrtojë provat e mbledhura deri më tani nga Prokuroria Shqiptare./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani