Vizita e Edi Ramës të dielën në Athinë duket se ka trazuar jo pak shtetin fqinj. Teksa politika dhe media helene e kanë cilësuar provokim nisjen e takimeve të Kryeministrit shqiptar me diasporën nga Greqia në datën 12 Maj, Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Socialiste Blendi Klosi prerazi mohoi që ajo të jetë e qëllimtë, ndonëse përkon me arrestimin një vit më parë të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

“Ne këtë tur e kemi deklaruar që në 8 Dhjetor në Kongres qe do kemi kontakt me diasporën. Nuk ka asnjë tendencë,  pasi bëmë takimet me qytetarët i erdhi radha diasporës. S’ka asnjë lidhje me datën e arrestimit në Belerit në Himarë”.

Klosi mohoi gjithashtu që takimi i Ramës me diasporën në Greqi të ketë ndikim në politikën e brendshme në vendin fqinj, i cili në fillim të Qershorit pritet të zhvillojë zgjedhjet për Parlamentin Europian, kandidat i të cilit nën siglën e Demokracisë së Re të Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis është edhe Fredi Beleri.

“Nuk ka asnjë tendencë që këto takime të ndikojnë në politikën e brendshme të vendeve ku kemi takime. Rama shkon si Kryeministër i vendit, si kryetar i PS dhe si një dëgjues i qëndrimeve për të paraqitur edhe vizionin e Shqipërisë 2030. Edhe Kryeministri grek ka qenë në kohë fushate në vendin tonë, në zonën e Dropullit. Nuk kemi thënë asnjëherë asgjë. Edhe kryetari i SYRIZA-s ishte dje në Dropull dhe vizita e tij u mirëprit”.

Pas Athinës, turi i kryeminsitrit Rama me diasporën do të vijojë në Milano, Londër e Duseldorf. Por sa i sigurt pritet të jetë takimi i të dielës, teksa autoritetet greke e kanë cilësuar atë një vizitë private?

“Shteti helen ka deklaruar standardet normale, s’do të ketë asnjë incident dhe aktiviteti i së dielës do të jetë festë dhe moment krenarie”.

I pyetur nga mediat nëse i është kërkuar dorëheqja kryebashkiakut Erion Veliaj duke ndjekur të njëjtin standart si për drejtues të tjerë politikë pasi u paraqitën në SPAK, Klosi dha këtë përgjigje.

“Jo, nuk kemi asnjë situatë që ne të vlerësojmë punën e drejtuesve politikë”.

Tv Klan