Takimi i Kryeministrit Rama me emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Selanik, ka shqetësuar Athinën zyrtare. Mediat greke shkruajnë se Athina ka reaguar pa vonesë, duke i kujtuar Shqipërisë përmes gazetave e portaleve të vendit fqinj se historia nuk mbishkruhet dhe se Tirana duhet të respektojë plotësisht të drejtat e pakicës etnike greke.

Reagimi i Athinës, thotë gazeta, që u referohet disa burimeve diplomatike, është shkaktuar nga qëndrimi i Edi Ramës për Vorio-Epirin, ku tha se “ky është një term i vdekur”.

“Historia nuk skadon dhe mban gjallë kërkesën për respektimin e plotë, nga ana e Shqipërisë, të të drejtave të minoritetit etnik grek. Ky përbën një kusht eksplicit për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të datës 11 Tetor 2024.”

“Protothema” shkruan se komentet e kryeministrit shqiptar erdhën pasi disa njerëz, të cilët ai i përshkroi si “fantazmat e së kaluarës”, protestuan për praninë e tij, duke përdorur fletëpalosje dhe slogane në lidhje me çështjen e Vorio Epirit. Duke ankuar për këto reagime, Rama theksoi se veprime të tilla nuk i ndihmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“U organizua një protestë me fletushka qesharake të frymëzuara nga të ashtuquajturit “vorioepirotët” dhe më shkaktojnë vetëm keqardhje. “Epiri i Veriut” është një term i vdekur, me kalimin e kohës ka vdekur. Dhe ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta tallen. Kushdo që përdor këtë term kur flet për jugun e Shqipërisë tregon se nuk dëshiron të jetojë në shekullin e 21-të. Ato janë fosile dhe turp”. Kjo nuk është një arsye për të kultivuar ndjenja negative ndaj Greqisë. Greqia është një partner i domosdoshëm që, së bashku me Italinë dhe Turqinë, përbën një trekëndësh strategjik në politikën tonë të jashtme”, shtoi ai.

Gazeta “Protothema” thekson se ekstremistët grekë që protestuan e akuzuan Kryeministrin Rama se “shteti shqitpar po shkel sistematikisht të drejtat e njeriut të minoritetit të njohur grek të Vorio-Epirit”, duke pasur kështu qëndrim të njëjtë me Athinën zyrtare, siç thonë burimet diplomatike të cituara nga gazeta.

Tv Klan