Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka për rreth 4 orë ka dhënë shpjegime në Prokurorinë e Posaçme.
Deputetja e PS mbërriti në SPAK në orën 12:00 e shoqëruar nga avokati i saj Henrik Ligori. Në prani të përfaqësuesit ligjor, Bushka dha shpjegime në lidhje me hetimet që kanë nisur ndaj saj që kanë të bëjnë me “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas prokurororisë, dyshohet se Bushka ka pasur dijeni për një OJQ për të cilën pretendohet se është ngritur një skemë korruptive qe e lidh me Ajola Xoxën.
Po ashtu SPAK ngre pretendimin se ligjvënësja socialiste ka ndikuar tek kushërira e saj që rezultonte administratore e kësaj OJQ-se duke e orientuar se si duhet te dëshmonte para prokurorëve.
Rreth orës 16:00 Bushka doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, por nuk pati një koment për mediat.
SPAK e njoftoi zyrtarisht kryetaren e Komisionit të Ligjeve se ndaj saj po kryhen hetime, ditën që u arrestua Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Në dëgjesën me grupin parlamentar të PS-së, Bushka theksoi se nuk ka tentuar të fshehë asnjë të vërtetë, duke shtuar se nuk është thirrur kurrë nga prokurorët për t’u pyetur.
Para kolegëve të saj, Bushka u shpreh se me Ajola Xoxën ka bashkëpunuar që para se të bëhej deputete, ndërsa Erion Veliajn e ka “mik fëmijërie”.
Sipas Bushkës, ajo i ka qëndruar pranë Xoxës gjatë hetimeve të prokurorisë, ndërsa me Veliajn ka folur më rrallë për shkak të angazhimeve të kryebashkiakut.
Klan News