Reagimi i dytë i Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut (tashmë në qeli) Erion Veliaj. Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Xoxa jep një sërë sqarimesh që lidhen me akt-akuzën. Teksa është akuzuar nga Prokuroria e Posaçme se është pronare e “Harabel Contemporary”, ajo thekson se nuk bëhet fjalë për kompani, por organizatë jo fitimprurëse. Rrjedhimisht, shkruan Xoxa, s’ka pronarë dhe nuk gjeneron fitim.

“Një sqarim tjetër mbi “Harabelin”, që për disa paska qenë një grabitqar i madh.  Së pari, Harabel Contemporary nuk është një shoqëri tregtare (kompani), por është një Organizate Jo-Fitimprurëse (OJF). Kjo, në bazë të ligjit shqiptar, do të thotë se Harabeli NUK ka pronarë dhe NUK gjeneron fitim dhe nëse në fund të vitit financiar në llogarinë e një OJF-je mbeten të holla, ato NUK shpërndahen dhe as transferohen, por mbeten në arkën e organizatës dhe përdoren për projektet e saj në vitet pasardhëse. Çuditërisht, në akt-akuzën ndaj meje thuhet se unë qenkam “pronare” e Harabel. A shkruhet kështu sepse akuzuesit ngatërrojnë ç’është ligjërisht një OJF apo se nuk kanë dashur të kuptojnë se unë nuk jam pronare e Harabel as ligjërisht, as praktikisht, këtë s’di ta them. Kohët e fundit nuk kuptoj më dot edhe gjëra që deri dje më dukeshin të thjeshta fare.”

Shpjegon se si ka lindur dhe është zhvilluar kjo OJF, duke renditur projektet e realizuara.

“OJF-ja që e quajtëm me emrin Harabel nisi ideimin në vitin 2017 dhe u themelua në fillim të vitit 2018. Pra ka kryer 7 vite veprimtari deri më sot. Ideimi ishte produkt i bashkëbisedimeve mes meje dhe Driant Zenelit, artist i mirënjohur bashkëkohor në Shqipëri, por sidomos ndërkombëtarisht. Në themelimin e OJF-së na u bashkuan edhe 2 vajza të tjera.  Harabel lindi nga dëshira për të dhënë një kontribut serioz dhe ndihmues në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri. Asnjëri nga ne nuk pati kurrë qëllime fitimi, madje përkundrazi dhe për këdo që e njeh këtë fushë nuk është fare për t’u çuditur që të angazhohesh për të ndihmuar jo për të fituar. E kundërta do t’i çudiste të gjithë, sepse me art mund të fitojnë galeritë e mëdha ndërkombëtare, të tjerat mbijetojnë, ndërsa OJF-të as që nuk lindin për të fituar. Harabel sot numëron një pafundësi projektesh, nga më të vegjlit deri tek shumë të mëdhenjtë (shifrat janë më poshtë). Aktiviteti i Harabel është publik, me përshkrime, emra, foto e video, në faqen: harabel.org.

 Në 7 vite aktivitet, Harabel ka realizuar:

– 30 ekspozita të artit vizual: me të paktën 220 artistë të shfaqur dhe mbi 15 kuratorë, shqiptarë dhe të huaj;

– 28 bashkëbisedime me personalitete të artit, me të paktën 41 të ftuar (artistë/kuratorë/arkitektë/historianë), shqiptarë dhe të huaj;

– 12 shfaqje performative me në thelb filmin, me të paktën 46 artistë, mshqiptarë dhe të huaj;

– 8 vepra publike të instaluara + 3 vepra publike kohëshkurtra, me të paktën 17 artistë, shqiptarë;

– 23 evente të artit në bashkëpunim (përfshirë këtu Festivali i VideoArtit të Tiranës, Festivali i Dancit Bashkëkohor, Manifesta Biennal, DokuFest, etj. etj. etj.), me më shumë se 277 artistë, mshqiptarë dhe të huaj;

– 9 workshope, me 24 artistë drejtues të ëorkshopeve dhe mbi 222 pjesëmarrës artistë të rinj;

– shumë ekspozime e aktivitete për prezantimin e artistëve shqiptarë jashtë vendit.”


Në total, shkruan Xoxa, Harabel ka realizuar mbi 113 aktivitete të artit me pjesëmarrjen e mbi 625 artistëve. Ajo shton se në 7 vite ka qenë anëtare dhe drejtuese e Bordit të organizatës, pa pagesë.

“Harabel ka paguar qindra artistë, kuratorë (jo mua), kompani artistike apo kompani mbështetsëse në realizimin e aktiviteteve artistike. Bilancet e Harabel janë dorëzuar rregullisht pranë tatimeve dhe mund të gjenden lehtësisht, janë dorëzuar edhe pranë shumë organeve e institucioneve europiane e ndërkombëtare, ku Harabel ka aplikuar për projekte dhe është pranuar. Harabel ka numëruar edhe me dhjetëra punonjës me kontratë pune, të cilët kanë punuar gjithmonë me një pasion aq të madh, sa për shumë dembelë ka qenë shumë e vështirë të besonin se si ia dilnim të bënim kaq shumë punë. Ia kemi dalë dhe kemi qenë dhe jemi një skuadër pozitive (pavarësisht traumës së kalimit në testin e presionit psikologjik të këtij hetimi haluçinant), me pasionin për artin dhe dëshirën e mirë për t’i bërë mirë qytetit dhe vendit tonë.  Gjatë këtyre 7 viteve, që në themelim, unë kam qenë anëtare dhe Drejtuese e Bordit të Harabel (pa pagesë). Nuk kam qenë Drejtoreshë Ekzekutive e Harabel (jemi në proces) dhe angazhimi im si Drejtuese Artistike e Harabel ka qenë pa pagesë (jam paguar vetëm për 3 projekte specifike, të cilat do t’i listoj më poshtë; dhe e rinënvizoj, kjo është normale në botën artit, ndërkohë që unë të ardhurat e mia i kam nga studioja e avokatisë). Në total, në 7 vite aktivitet, bilanci financiar i Harabel ka qenë 4 vite me minus dhe 3 vite me një plus të vogël. Edhe në 2 vitet e fundit, Harabel ka bilanc negativ. Pra, thënë thjesht: Harabel mban veten e vet, dhe jo me lehtesi (edhe kjo është krejt normale në botën e organizatave jofitimprurëse të artit e kulturës).”

“Në 7 vite ekzistencë, buxheti TOTAL Harabel për të 7 vitet BASHKE ka qenë PREJ 653’591 euro (brut), ku numërohen aplikime e donatorë ndërkombëtarë, europianë e shqiptarë, nga më të shumtët në numër e lloj”, argumenton në postim, duke nënvizuar se “Harabel nuk ka marrë kurrë asnjë fond nga bashkia e Tiranës!”

Xoxa sfidon këdo që të gjejë një provë të vetme për të kundërtën e sa më sipër.

“Në 7 vite ekzistencë të Harabel, unë jam paguar gjithsej 20’521 euro bruto, që do të thotë 17’442 euro neto në total.”

Për bashkëshortin e saj, Erion Veliajn, thotë se ai ka qëndruar gjithnjë larg aktivizmit të saj social-kulturor.

“Erioni ka ardhur në zyrat tona vetëm 1 herë, po po, vetëm një herë, dhe atë herë ka ardhur për të sjellë djalin.”

“Shumëkujt mund t’i duket habi pse një avokate, me disa shkollime në drejtësi, merret me art. Kjo vjen sepse e gjithë familja ime është e përbërë nga artistë, dhe kur them e gjithë familja, dua të them E GJITHA. Në këtë habitat jam rritur dhe arti është si uji për peshkun për mua. Kam bërë edhe një master në Universitetin e Arteve të drejtuar nga Prof. Vladimir Myrtezaj në 2019-2021, të cilin e kam ndjekur me një përpikmëri kirurgjikale. Nga të gjitha punët që kam bërë në jetë, dhe janë shumë, puna artistike me Harabel është ajo që kam dashur e dua më shumë. Më dhemb në shpirt kur baltoset puna e Harabel për arsye të ulëta politike e mediatike, në shpirt. Çfarëdo të thotë kushdo e të mundohet ta ulë punën tonë, e vërteta është kjo. Po aq është fakt se kemi bërë një punë shumë të madhe e domethënëse për skenën kulturore shqiptare. Ata që na kanë ndjekur, e dinë. Të tjerët do ta mësojnë kur pafajësia ime të marrë vulën e drejtësisë”, përfundon Xoxa.

/tvklan.al