Ilir Meta: “Dy janë rrugët kryesore përmes të cilave duhet të ecë kjo lëvizje pas kësaj Konvente. E para rruga e Krizës pasi ju e dini shumë mirë, që çdo marrëveshje PS-LSI pas zgjedhjeve të 28 qershorit sjell vetëm krizë në Shqipëri, sjell mungesë qeverisje, sjellë mungesë stabiliteti dhe nuk e toleroj po të them që sjell destabilitet. Rezultati elektoral është i tillë që për secilin që mund të ketë edhe ndonjë nostalgji dhe që nuk ka argumente e bën të pamundur një qeverisje PS-LSI. Të bashkohemi me ta, qoftë edhe sipas propozimit të tij, që Ilir Meta tani meqë e kanë situatën keq të bëhet kryeministër se ata do të mund të blejnë 2, 3 deputetë nga e djathta dhe të fusin vendin në një kaos dhe situatë delegjitimimi, çfarë mund të bëjmë tjetër? Të provokojnë patjetër zgjedhje të parakohshme. Të shkojmë brenda 2 muajve në zgjedhje, të shkojmë me këtë kod, të shkojmë pa komisioner, të shkojmë pa numërues. Të dalim me Edi Ramën kundër Sali Berishës, të krijojmë tension dhe destabilitet në vend dhe në fund fare Edi Rama të ulet me Sali Berishën dhe t’i thotë kam vetëm një kusht për ty, Ilir Meta të mos ketë komisionar se dua të zhduk LSI-në. Jemi në prag të një risie të jashtëzakonshme dhe të veçantë. Në fund të fundit duhet të kuptojmë se nuk ishin ne hartuesit e këtij kodi. Në çdo rast ky kod imponon koalicion dhe për vetë produktin elektoral të këtij kodi koalicioni më i frytshëm që mund të jetë për demokracinë dhe për qeverisjen në vend, është pikërisht koalicioni PD-LSI. Sepse garanton një qeverisje të qëndrueshme, por garanton edhe një opozitë të fuqishme si ajo e Partisë Socialiste. Një koalicion tjetër, PS-PD pa asnjë diskutim që do të asfiksonte opozitën sepse do ta bënte jo funksionale një opozitë me 4 mandate deputetësh në kuvendin e Shqipërisë dhe sigurisht që do të humbiste të gjitha balancat e një sistemi demokratik qeverisje. Prandaj unë besoj se rruga ku duhet të ecim është rruga e zgjidhjes dhe jo rruga e krizës. Pse u refuzua edhe kërkesa e bërë nga personalitete të së majtës evropiane për të rivendosur këtë bashkëpunim, vetëm një kusht kishin ne, asnjë kusht tjetër, të kishim komisionar atë që na takonte dhe deri në fund të gjitha përpjekjet u bënë vetëm në mënyrë që të realizohej një plan makabër, mafioz, për eliminimin dhe zhdukjen e kësaj force politike.”/tvklan.al