Konventa kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim i ka dhënë mbështetjen e plotë kryetarit Ilir Meta që të negociojë me Partinë Demokratike e kryeministrit Berisha për krijimin e qeverisë së integrimit.
Në fund të diskutimeve, anëtarët e saj kanë votuar të gjithë pro kërkesës së Metës për të nisur bisedimet me Berishën për një bashkëpunim qeverisës me Partinë Demokratike, e cila sipas kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të sjellë një qeverisje të fortë dhe të qëndrueshme.
Në fjalën e mbajtur në nisje të konventës, Meta argumentoi se një bashkëpunim i mundshëm me Partinë Socialiste në situatën aktuale do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme dhe destabilitet.
Ilir Meta: “Ju e dini shumë mirë, që çdo marrëveshje PS-LSI pas zgjedhjeve të 28 qershorit sjell vetëm krizë në Shqipëri, sjell mungesë qeverisje, sjellë mungesë stabiliteti dhe nuk e toleroj po të them që sjell destabilitet. Rezultati elektoral është i tillë që për secilin që mund të ketë edhe ndonjë nostalgji dhe që nuk ka argumente e bën të pamundur një qeverisje PS-LSI. Të bashkohemi me ta, qoftë edhe sipas propozimit të tij, që Ilir Meta tani meqë e kanë situatën keq të bëhet kryeministër se ata do të mund të blejnë 2, 3 deputetë nga e djathta dhe të fusin vendin në një kaos dhe situatë delegjitimimi, të provokojnë patjetër zgjedhje të parakohshme. Të shkojmë brenda 2 muajve në zgjedhje, të shkojmë me këtë kod, të shkojmë pa komisioner, të shkojmë pa numërues. Të dalim me Edi Ramën kundër Sali Berishës, të krijojmë tension dhe destabilitet në vend dhe në fund fare Edi Rama të ulet me Sali Berishën dhe t’i thotë kam vetëm një kusht për ty, Ilir Meta të mos ketë komisionar se dua të zhduk LSI-në. Jemi në prag të një risie të jashtëzakonshme dhe të veçantë. Koalicioni më i frytshëm që mund të jetë për demokracinë dhe për qeverisjen në vend është pikërisht koalicioni PD-LSI. Sepse garanton një qeverisje të qëndrueshme, por garanton edhe një opozitë të fuqishme si ajo e Partisë Socialiste. Një koalicion tjetër, PS-PD pa asnjë diskutim që do të asfiksonte opozitën sepse do ta bënte jo funksionale një opozitë me 4 mandate deputetësh, prandaj un besoj se rruga ku duhet të ecim është rruga e zgjidhjes dhe jo rruga e krizës, është rruga e stabilitetit dhe jo rruga e destabilitetit, është rruga e integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave gjatë këtij mandati 4 vjeçar dhe jo rruga e izolimit të Shqipërisë dhe e kthimit të pamjeve destabilizuese nga Shqipëria.”
Po ashtu Meta ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Partinë Socialiste, pasi sipas tij Rama jo vetëm që ka refuzuar ftesat për bashkëpunim të drejtuar publikisht nga Lëvizja para Zgjedhjeve të 28 Qershorit , por ka kryer një fushatë denigruese në kurriz të Lëvizjes Socialiste për Integrim duke kërkuar detyrimisht eliminimin e saj nga politika shqiptare.
Ilir Meta: “U refuzua edhe kërkesa e bërë nga personalitete të së majtës evropiane për të rivendosur këtë bashkëpunim, vetëm një kusht kishin ne, asnjë kusht tjetër, të kishim komisionar atë që na takonte dhe deri në fund të gjitha përpjekjet u bënë vetëm në mënyrë që të realizohej një plan makabër, mafioz, për eliminimin e kësaj force politike…”./tvklan.al