Punësim, ulje të nivelit të varfërisë dhe rritje ekonomike. Ishin këto shtyllat e programit qeverisës që prezantoi lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në konventën kombëtare të kësaj force politike, të mbajtur në Pallatin e Kongreseve.

Ilir Meta: “Tre janë prioritetet kryesore të programit të LSI-së, punësimi, punësimi dhe përsëri punësimi. Programi ynë i mirëstudiuar më shkencore dhe realiste. Garanton që Shqipëria t’i rihyjë punës dhe në 4 vitet e ardhshme të garantohen 100 mijë vende të reja të qëndrueshme të punës. Pikërisht në ata sektorë që janë më prioritar për të rritur prodhimin e brendshëm, për të rritur ekonominë tonë. Që përmes punësimit të qëndrueshëm të luftojmë varfërinë dhe ta shporrim njëherë e mirë nga familjet shqiptare gjatë 4 viteve të ardhshme. Ne kemi ndërmarrë disa politika tjera për të mbrojtur shtresat më të varfra të shoqërisë që po goditen pa mëshirë nga kriza ekonomike dhe paaftësia e qeverisë për të marrë masat e duhura.”

Një tjetër prioritet kryesor që shpalli kreu i LSI-së, është rritja e investimeve në infrastrukturën rrugore, me qëllimin e vetëm për të lidhur më shpejt shqiptarët ngado që ndodhen.

Ilir Meta: “Ne do të ndërtojmë rrugën e Arbrit si një aks i domosdoshëm për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë dhe do të japim prioritet të jashtëzakonshëm sa i takon investimeve publike e sidomos rrugëve. Pikërisht rrugëve në zonat me prodhim të lartë bujqësor dhe me mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit.”

Duke prezantuar kandidatet e partisë së tij, si më të mirët për qeverisjen e vendit drejt Europës, lideri i LSI-së, ka akuzuar dy forcat e mëdha politike, duke thënë se më 21 prill ndryshuan kushtetutën për hir të aferave të ngushta politike, një politikë kulisash, të cilën qeverisja e Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas Metës do ta ndryshojë.

Meta shprehu bindjen se në 28 qershor shqiptarët do të zgjedhin alternativën e Lëvizjes Socialiste për Integrim./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani