Koço Kokëdhima: “Të më falë Januci, po unë nuk mund t’i them gjë tjetër përveçse t’i them “va fan culo” me gjithë ato 6 milionë eurot e tua.”
Ka qenë kjo deklarata e presidentit të firmës “2K” Koço Kokëdhima gjatë një konference për shtyp ku ka publikuar fakte që vërtetojnë se Ministria e Turizmit ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë italiane për importin e plehrave edhe në Sharrë.
Koço Kokëdhima: “Marrëveshja e Janucit është tre vjeçare dhe përtërihet automatikisht çdo tre vjet thuhet në të, aq sa është edhe për koincidencë koha e depozitimit të hapur të mbetjeve që sjell Beketi në Kashar.”
Ky lajm është publikuar dy ditë më parë në gazetën “Shekulli”. Menjëherë pas lajmit të publikuar në këtë të përditshme ka reaguar pasditen e djeshme dhe ambasada italiane. Ambasadori italian Masimo Januci nëpërmjet një njoftimi për shtyp është shprehur se këto shpifje, siç i ka cilësuar ai, mund të bëhen shkak për anulimin e marrëveshjes që parashikon transformimin e Sharrës në një pikë moderne me impakt pozitiv mjedisor në 6 vitet e ardhshme. Ndërsa zëvendësministri i Turizmit Arben Demeti ka hedhur poshtë lajmin e publikuar dhe ka deklaruar se bëhet fjalë vetëm për një paskatësi në përkthimin e marrëveshjes në shqip.
Arben Demeti: “Nuk bëhet fjalë në asnjë mënyrë për materiale të importuara nga jashtë shtetit. Përkthimi që është bërë nga koperacioni italian dhe nga pala shqiptare është munduar që t’i përshtatet në mënyrë sa më koncize këtij termi pikërisht “terreno di riporto” dhe është përdorur fjala material i importuar, por natyrisht në shqip importi nënkuptohen sjelljen e diçkaje nga jashtë vendit. Kjo është thjesht lajthitje, një lajthitje mjaft e kuptueshme që nuk ka asnjë efekt mbi marrëveshjen e cila, po jua përsëris edhe njëherë, është shumë pozitive.”
Demeti ka deklaruar se reagimi i ambasadës italiane, duke u bazuar në lajmet e publikuara nga një gazetë, është i shpejtuar dhe kërkoi që të nisë sa më shpejt implimentimi i kësaj marrëveshjeje. /tvklan.al