Kombëtarja shqiptare do të kryej pasditen e sotme seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Gjeorgjinë. Në “Shtëpinë e Futbollit”, kuqezinjtë do të zbresin rreth orës 19:15, teksa nën drejtimin e teknikut Sylvinho, për fatin e mirë do jenë të gatshëm të gjithë futbollistët.
Gjendja fizike e lojtarëve shfaqet e mirë pas fitores me Ukrainën, ndërsa lajm i mirë ishte edhe fakti që nuk ka të pezulluar për takimin e së martës. Jasir Asani dhe Thomas Strakosha u ndëshkuan me karton të verdhë, por nuk rrezikojnë që të jenë të gatshëm për sfidën me Gjeorgjianët.
Më herët, në konferencën për shtyp do të shfaqen tekniku Sylvinho dhe mesfushori, Kristjan Asllani, të cilët do të komentojnë situatën që ndodhet kombëtarja në prag të një testi tepër delikat në grupin B1.
Në një stadium të mbushur totalisht dhe të dominuar nga ngjyrat kuqezi, përfaqësuesja jonë do të synojë marrjen e kreut të grupit. Momentalisht, Gjeorgjia dhe Shqipëria ndajnë vendin e parë me 3 pikë, për ta shndërruar duelin e stadiumit “Air Albania” në një betejë ku kërkohet maksimumi.
Sylvinho mendohet se do i besoj sërish futbollistëve që ishin titullarë në Pragë, kjo ndikuar edhe nga fakti që nga stoli u aktivizuan vetëm Arbër Hoxha dhe Medon Berisha. Emocionet e përballjes së orës 20:45 të kësaj të marte do të përjetohen ekskluzivisht falas në TV Klan.
Klan News