E ardhmja e Jasir Asanit pritet të jetë larg Koresë së Jugut, por jo kontinentit aziatik.

Shumë skuadra kanë shfaqur interes për 29-vjeçarin, ku bien në sy ato të Japonisë.

Vissel Kobe dhe Yokohama Marions janë klubet që kërkojnë shqiptarin në skuadrën e sezonit të ardhshëm.

Në garë për sulmuesin kuqezi gjendet edhe Jeonbuk në Korenë e Jugut, gjithsesi, Asani mendohet që të mos “tradhtojë” Gwangju duke firmosur me një rival direkt për objektivat.

Rreth 1 milion Euro është shifra që koreanët kërkojnë nga shitja e Asanit, i cili për momentin duket se e ka shndërruar në tabu kalimin në kampionatet e Europës.

Ish-lojtari i Partizanit ka luajtur 20 ndeshje në të gjithë kompeticionet me Gwangju, ku ka shënuar 10 herë, për një mesatare prej 1 goli në çdo 2 ndeshje.

Një kalim në një prej skuadrave të interesuara “zbeh” pistën Las Palmas.

Skuadra spanjolle ishte shumë pranë firmës me Asanin në merkaton e verës, por Gwangju nuk u bind nga oferta e tyre.

Ylli i kombëtares ka tërhequr vëmendjen me mënyrën e shënimit të golave edhe me kuqezinjtë.

Në dy sezonet e tij në Korenë e Jugut, Asani ka shënuar 17 gola.

Klan News