Ka nisur sot grumbullimi i kombëtares për ndeshjen e 6 qershorit me Portugalinë. Disa prej futbollistëve janë mbledhur në Tiranë për të udhëtuar më pas drejt Durrësit. Kundër Portugalisë luajmë pa objektiva për kampionatin botëror, por tashmë kombëtarja ka një trajner të ri dhe futbollistët e grumbulluar do të mundohen ta bindin për aftësitë e tyre.

Emiliano Vila: “Është një kënaqësi të grumbullohemi me ekipin kombëtar si hera e parë ishalla me ndihmën e shokëve them se do dal sa më mirë. Ambicia ime është të jap maksimumin tim në stërvitje dhe pastaj e di stafi drejtues.”

Është rikthyer në përfaqësuese edhe Jahmir Hyka, për pak kohë i padëshiruar nga ish-trajner Arie Haan.

Jahmir Hyka: “Unë e kam ndjerë vetëm gjithmonë pjesë të kombëtares, por mund quajmë edhe rikthim, e prisja domethënë një rikthim. Me lojtarët e rinj që janë thirrur shpresoj që të bëjmë një kombinim sa më të mirë edhe me veteranë dhe të japim diçka pozitive. Duhet ti vejmë re edhe rezultatin në këto 3 ndeshje, por gjithashtu duhet të mendojmë edhe për kualifikueset e ardhshme.”

Skuadra do të vijojë pasdite me një stërvitje të lehtë./tvklan.al