Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për çështjet dhe sfidat e lidhura me Pronën, në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka thënë se ky komision është një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Edi Rama: Nuk jam këtu për të dhënë mend sepse qëllimi kryesor i këtij Komisioni të Posaçëm, unë çmoj të jashtëzakonshme dhe për nga prurja e opinioneve dhe këndvështrimeve si rezultat i gjithë këtij grupi ekspertësh është që Parlamenti të bëhet epiqendra e një ndërveprimi intensiv që fillon me këtë fazë të këtij proces dhe që në këndvështrimin tim duhet të vazhdojë deri në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE. Mënyra se si komisioni do të transformohet në një mekanizëm brenda Parlamentit dhe një pikë referimi për institucionet e shtetit do të përcaktohet nga ky proces ku do të dalin detyra për të gjitha institucionet, të treja pushtetet. Do të më pranoni shprehjen e mirënjohjes për të gjithë ju. Ky është një proces patriotik në radhë të parë sepse është një proces që ka një domodoshmëri për të krijuar një front të madh mbështetës për negociatat në BE dhe pastaj është një proces thellësisht teknik dhe këtu është e paarsyeshme që ky proces mund të përballohet vetëm me burimet e brendshme.
Unë dua të nënvizoj 3 gjëra: E para, lidhur me këtë proces dhe me vetë këtë komision. Ky komision është sot në kushtet që flasim, një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin tonë në procesin e anëtarësimit në BE sepse në BE shkojmë si një front institucionesh që përfaqësojnë 3 pushtetet, të cilat në marrëdhënie me njëra-tjetrën kanë hapësira ndërveprimi, por kanë edhe kufi sepse janë të pavarur nga njëri-tjetri. Koordinimi i gjithë këtij fronti dhe ecja në mënyrë uniforme përsa i përket performancës të të gjithë institucioneve mund të garantohet nëse Kuvendi bëhet një udhëkryq ku të gjithë forcat që ndërveprojnë në emër të shtetit në Republikën e Shqipërisë pikëtakohen dhe mund të japin llogari. Përfshirja e një mase kaq domethënëse së shoqërisë përmes rrjeteve të ndryshme të shoqërisë civile, përmes mediave dhe përmes etj, etj, një garanci e madhe për të nxjerrë maksimumin e mendimit intelektual dhe të cilësisë në qasjen tonë.
E dyta, është që shumëkush dhe gjithmonë sa herë ka një iniciativë të re, synim për të hedhur një hap të ri, ngrihet dhe thotë “tani u kujtuat ju?”. Ne jemi kujtuar që ditën e parë në këtë detyrë. Në çdo hap të rrugës ka sfida të tjera. Duke folur tani për pronën, është e qartë se nëse kthejmë kokën mbrapa, ajo që është bërë është shumë voluminoze dhe përmirësimi është shumë i ndjeshëm, por i pamjaftueshëm me pikëmbërritjen, uljen në tryezë me BE-në. Themelore të kuptohet që përsa kohë pikëmbërritja jonë është BE-ja, atëherë, volumi i punës për t’u bërë është jo vetëm shumë më i madh, por edhe i panegociueshëm. Theksoj që sot është e mundur që ne të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar në BE duke plotësuar të gjithë kriteret që lidhen me pronën sepse kemi bekimin e kohës falë teknologjisë.
Të gjithë do të shohin se ky komision dhe ajo që do të dalë nga ky komision do të jetë një kontribut në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo e bën një kontribut historik. Balta e zëvendëson hudhrën dhe nuk ju merr njeri mësysh.
/tvklan.al